Tayna i ka dhënë fund “Genesis Summer Tour”, duke mbyllur një verë të mbushur me koncerte, udhëtime dhe takime me fansat. Pas tetë vitesh aktivitet të pandërprerë në skenë, artistja ka vendosur të marrë pak kohë për veten dhe të shkëputet nga ritmi intensiv i performancave nëpër diskoteka.
Duke reflektuar për muajt e fundit, Tayna e përshkroi këtë verë si të lodhshme dhe kaotike, por njëkohësisht ndër më të bukurat për të. Një nga momentet që e ka emocionuar më shumë ka qenë mënyra se si publiku ka përqafuar albumin “Genesis”, të publikuar në maj me 13 këngë. Fansat jo vetëm që kanë ndjekur koncertet e saj, por kanë mësuar këngët e reja në një kohë shumë të shkurtër dhe i kanë kënduar bashkë me të gjatë performancave.
Tani, pas një vere kaq intensive, Tayna ka bërë të ditur se do të marrë një pauzë të merituar. Me humor, ajo u shpreh se do t’i lërë “pak rehat” si fansat, ashtu edhe diskotekat, duke lënë të hapur derën për atë që vjen më pas. “Shihemi në kapitullin tjetër”, shkroi artistja, duke lënë fansat kuriozë për fazën e re të karrierës së saj.
