Zgjedhja e atleteve të duhura për vrapim nuk varet vetëm nga marka apo pamja, por nga mënyra se si do t’i përdorni dhe nevojat e këmbëve tuaja. Për fillestarët dhe përdorimin e përditshëm rekomandohen atlete neutrale me amortizim të mirë, ndërsa për vrapuesit më të avancuar dhe garat mund të përdoren modele me pllakë karboni, të cilat rrisin efikasitetin dhe shtytjen gjatë vrapimit.
Një tjetër faktor i rëndësishëm është stili i vrapimit. Atletet me “low drop” mund të favorizojnë uljen mbi pjesën e përparme të këmbës, ndërsa ato me “high drop” ofrojnë më shumë mbështetje për thembrën. Eksperti thekson gjithashtu se problemi nuk zgjidhet gjithmonë me një palë këpucë të reja, sidomos kur bëhet fjalë për gabime teknike si “overstride”, ku këmba vendoset shumë përpara trupit. Madhësia është po aq e rëndësishme, pasi këmbët mund të fryhen gjatë vrapimit dhe një këpucë shumë e ngushtë mund të shkaktojë dhimbje ose dëmtime të thonjve.
Në zgjedhje duhet të merret parasysh edhe historia e dëmtimeve dhe forma e këmbës. Personat me probleme në kyçe, shputa ose gjunjë mund të kenë nevojë për më shumë stabilitet dhe amortizim, ndërsa modelet për femra po përshtaten gjithnjë e më shumë me karakteristikat specifike të këmbës së tyre. Në fund, atletet më të mira nuk janë domosdoshmërisht ato më të shtrenjtat, por ato që përshtaten me këmbën, stilin e vrapimit dhe nevojat individuale.
