Reperi Kleviol Ahmeti, i njohur për publikun si Cllevio, ka bërë një deklaratë të papritur, duke paralajmëruar tërheqjen e tij nga rrjetet sociale dhe largimin nga jeta publike.
Përmes një postimi në Instagram, reperi ka njoftuar se do të realizojë transmetimin e tij të fundit “live”, ku pritet të flasë dhe të sqarojë disa prej ngjarjeve të fundit. Pas këtij transmetimi, ai ka bërë të ditur se planifikon të mbyllë ose të fshijë llogaritë e tij zyrtare.
Në mesazhin e publikuar, Cllevio thekson se bëhet fjalë për një vendim personal dhe se dëshiron të distancohet nga njerëzit dhe rrethi i tij shoqëror.
“Do të arratisem pa adresë, do të ndërroj numrin dhe nuk dua asnjë më në shoqërinë time. Dua të distancohem nga të gjithë, se ndoshta jam unë e keqja”, ka shkruar ai.
Reperi ka falënderuar gjithashtu miqtë dhe personat që e kanë mbështetur, ndërsa nga mënyra si është shprehur duket se largimi i tij nuk ka një afat të përcaktuar.
Deri më tani, Cllevio nuk ka bërë të ditura arsyet e plota që e kanë çuar drejt këtij vendimi. Megjithatë, deklarata vjen pak ditë pas një tjetër episodi të bërë publik prej tij.
Javën e kaluar, reperi publikoi disa imazhe ku tregonte se ishte ndaluar nga policia në aeroportin e Malpensës në Itali, duke ndarë me ndjekësit edhe pamje nga dhoma ku ishte shoqëruar para paraburgimit.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse ky do të jetë vërtet largimi përfundimtar i Cllevios nga rrjetet sociale, apo një pauzë e përkohshme nga jeta publike.

