Furçat e grimit janë pjesë e pandashme e rutinës së bukurisë, por përdorimi i tyre i përditshëm pa pastrim mund t’i kthejë në një burim bakteresh. Sipas të dhënave të publikuara nga IconStyle, furçat e papastra mund të grumbullojnë baktere dhe myk, madje në disa raste të kenë më shumë baktere sesa një ulëse tualeti.
Problemi është se furçat prekin vazhdimisht lëkurën dhe mbledhin mbetje grimi, yndyrë dhe papastërti. Me kalimin e kohës, kjo mund të krijojë një ambient të favorshëm për mikroorganizmat dhe të kontribuojë në shfaqjen e problemeve të lëkurës, si aknet dhe acarimi.
Sa shpesh duhet t’i lani?
Dermatologët rekomandojnë që furçat e grimit të pastrohen të paktën një herë në javë. Për këtë mund të përdoret ujë i ngrohtë dhe një pastrues i butë, si shampo për fëmijë. Pas larjes, furçat duhet të lihen të thahen mirë përpara se të përdoren sërish.
Pastrimi i rregullt nuk ndihmon vetëm në ruajtjen e shëndetit të lëkurës. Furçat e pastra mundësojnë gjithashtu një aplikim më të mirë dhe më të njëtrajtshëm të grimit, ndërsa mirëmbajtja e tyre mund t’u zgjasë edhe jetëgjatësinë.
