Kryeministri Edi Rama ka ndarë shembullin e rajonit të Camargue në Francë, duke e cilësuar atë si një dëshmi të qartë se natyra dhe zhvillimi ekonomik nuk përjashtojnë njëri-tjetrin.
Sipas Ramës, një nga ligatinat më të rëndësishme të Europës është shndërruar në një motor ekonomik falë turizmit të qëndrueshëm dhe aktiviteteve lokale, ndërsa ka ruajtur biodiversitetin dhe peizazhin e saj unik.
“Flamingot janë ende aty. Lagunat janë ende aty. Biodiversiteti është ende aty”, thekson Kryeministri, duke nënvizuar se zhvillimi nuk duhet të shihet si kërcënim për natyrën.
“Prandaj pyetja nuk është nëse natyra dhe ekonomia mund të bashkëjetojnë. Pyetja është nëse kemi vizionin për ta kthyer natyrën në një aset të ekonomisë. Sepse kur peizazhi bëhet pjesë e modelit ekonomik, njerëzit nuk janë më indiferentë dhe shpesh shkatërrues e ndotës të tij”, shkruan Rama.
Me këtë shembull, Kryeministri thekson rëndësinë e një modeli zhvillimi që kombinon mbrojtjen e mjedisit me përfitimet ekonomike për komunitetet lokale.
