“Po të mos isha larguar unë, Edi Rama nuk do të ishte bërë ministër.” Kështu u shpreh ish-deputeti dhe gazetari Luan Rama, i cili në një intervistë për Albania NewsCast me gazetarin Arbër Hitaj rrëfeu për herë të parë prapaskenat e hyrjes së Edi Ramës në politikë, raportin me Ilir Metën dhe degradimin e klasës politike shqiptare ndër vite.
Luan Rama tregoi se në vitin 1998 ishte propozuar nga Fatos Nano për ministër Kulture, por kishte refuzuar postin, çka sipas tij hapi rrugën për emërimin e Edi Ramës.
“Fatos Nano më ftoi mua për të vajtur ministër i Kulturës. Në fakt unë hezitova, nuk doja. E konsideroja veten të papërgatitur. I thashë që isha vetëm 31 vjeç dhe doja kohë për t’u formuar politikisht. U bë gati praktika për dekretimin tim, por në darkë unë u tërhoqa dhe është emëruar zoti Rama në vendin bosh të ministrit të Kulturës”, rrëfeu Luan Rama.
Më tej, ai shtoi se pa largimin e tij, rruga politike e Edi Ramës do të kishte qenë ndryshe.
“Po të mos ikja unë, sot Edi Rama s’do ishte”, u shpreh ai.
Luan Rama komentoi edhe për herë të parë raportin me Ilir Metën pas ndarjes së fortë politike mes tyre, duke theksuar se ish-presidenti nuk ka nevojë për mëshirë, por për drejtësi.
“Ilir Meta nuk ka nevojë për mëshirë. Nuk ka nevojë as për këtë retorikën e provokuar pas atyre pamjeve. Ilir Meta dhe të gjithë të tjerët kanë nevojë për drejtësi”, deklaroi ai.
Sipas Luan Ramës, mënyra e arrestimit të Metës ishte një nga pamjet më të rënda për shtetin shqiptar.
“Ato pamje që do të mbeten përjetësisht në arkivë janë shëmtia e turpshme e sjelljes së shtetit shqiptar. Nuk rëndojnë Ilir Metën, por rëndojnë shtetin shqiptar ndaj vetvetes”, tha ai.
Duke folur për degradimin e politikës, ish-deputeti krahasoi klasën aktuale politike me atë të viteve ’90, duke thënë se niveli i deputetëve dhe i përfaqësimit politik ka rënë ndjeshëm.
“Në vitet ’90 kishte figura politike dhe intelektuale me peshë. Aleksandër Meksi, Gramoz Pashko, Arben Imami, Neritan Ceka, Arta Dade, Etem Ruka, Kastriot Islami, Bashkim Fino e shumë të tjerë. Sot unë nuk njoh më shumë se dy apo tre emra nga kryesia e Partisë Socialiste”, u shpreh ai.
Sipas tij, sot politika dominohet nga individë pa profil politik dhe pa përgjegjësi ndaj qytetarëve.
“Sot mjafton të jesh në listën e kandidatëve dhe bëhesh deputet. Politika është deformuar. Ministrat nuk janë më figura politike me kredite dhe përfaqësim, por njerëz që i detyrohen vetëm kryeministrit”, deklaroi Luan Rama.
Në intervistë ai foli edhe për mënyrën sesi dikur forumet e Partisë Socialiste kontrollonin pushtetin dhe pengonin abuzimet, duke sjellë si shembull bashkinë e Tiranës në kohën kur drejtohej nga Edi Rama.
“Kryesia e Partisë Socialiste të Tiranës ishte barrierë për të mos lejuar lajthitjet në administrimin e bashkisë. Vendimet diskutoheshin paraprakisht në forumet e partisë”, tha ai.
Luan Rama përdori edhe metaforën e argjinaturave për të përshkruar rolin që duhet të kishin partitë politike për të frenuar abuzimin me pushtetin.
“Kur nuk ka argjinatura politike dhe morale, pushteti del nga shtrati dhe përmbyt gjithçka”, u shpreh ai gjatë analizës së degradimit të politikës shqiptare.
Subscribe to Updates
Get the latest creative news from FooBar about art, design and business.
‘Po të mos ikja unë, Rama s’do ishte në politikë’, rrëfimi i Luan Ramës
Related Posts
Add A Comment
