“Një komb, një zemër, një e ardhme” – Me këtë mesazh, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, njoftoi mbajtjen e Samitit IV të Diasporës në Tiranë, në datat 13-14-15 prill.
Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Hoxha shkruan se “përmes rrënjëve lartësohemi dhe të bashkuar forcohemi”, duke iu referuar kështu sloganit zyrtar të samitit të këtij viti.
Ministri i Jashtëm ka publikuar ftesën zyrtare, drejtuar bashkëkombësave përtej kufijve, ftesë që mban firmën e Kryeministrit Edi Rama.
Në mesazhin e dërguar nga Rama përmes kësaj ftese, shkruhet se “samiti i prillit është hapësira ku do të diskutojmë se si ta kthejmë këtë stad të ri marrëdhënieje në një energji të re, për një motor të shtuar të zhvillimit të Shqipërisë.”
“Dija juaj në shoqëritë ku jetoni, përvoja juaj në çdo nivel të punës dhe lidhjet tuaja janë një pasuri e madhe e kombit tonë. Ju ftoj të jeni pjesë e Samitit të 4-ërt të Diasporës Shqiptare për të projektuar së bashku rolin tuaj në rrugëtimin drejt Shqipërisë 2030 në BE dhe Ju pres me mirënjohje për gjithçka bëtë, e me besim në gjithçka do të vazhdoni të bëni“, shkruan Rama për shqiptarët e diasporës.
Sipas Ramës, shqiptarët e diasporës janë ndërtues aktivë të së ardhmes së atdheut tonë të përbashkët.

