Shkenca ka treguar se emocionet kanë një rol shumë më të madh në krijimin e kujtimeve sesa mendojmë. Ne nuk ruajmë thjesht atë që ka ndodhur – por mënyrën se si jemi ndjerë në atë moment. Kjo është arsyeja pse disa situata të vogla, të njëjtën ditë mund t’i harrojmë, ndërsa disa sekonda të tjera mbeten të paharrueshme për vite.
Truri ynë krijon lidhje të forta mes ndjenjave dhe kujtimeve, sidomos kur përjetojmë emocione të forta si frikë, dashuri, lumturi ekstreme apo dhimbje. Sa më intensiv të jetë emocioni, aq më shumë “ngulitet” kujtimi në tru. Ky proces aktivizohet në amigdala, pjesa e trurit që lidhet me përpunimin emocional.
Pikërisht për këtë, përjetimet që shoqërohen me ndjesi të forta kanë shumë më tepër gjasa të ruhen përgjithmonë dhe të rikthehen sërish sa herë truri ekspozohet ndaj një situate që i ngjan.
Prandaj, nuk është gjithmonë logjika apo rëndësia e ngjarjes ajo që e bën atë të paharrueshme. Është intensiteti emocional që ka pasur brenda asaj sekonde.
Kjo është edhe arsyeja pse ka momente që edhe po të donim, nuk i heqim dot nga mendja – sepse ato nuk janë thjesht kujtime… janë gjurmë ndjesish.
