Këtë të mërkurë u prezantuan projektndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, një paketë që prek disa aspekte të procedurave penale, nga masat e sigurisë dhe paraburgimi te mënyra e zhvillimit të hetimeve dhe të drejtat e palëve. Drafti i propozuar përfshin ndryshime në 105 nene.
Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në prezantim, u ndal te disa prej ndryshimeve të parashikuara. Sipas tij, për veprat penale që kanë një dënim maksimal nën 5 vjet, nuk do të caktohet më masa e “arrestit në burg”. Ndryshimet synojnë kështu kufizimin e përdorimit të kësaj mase për veprat me rrezikshmëri më të ulët.
Një tjetër pikë e prezantuar lidhet me prindërit kujdestarë. Sipas propozimit, masa e “arrestit në burg” nuk do të aplikohet për nënat me fëmijë nën 6 vjeç dhe për baballarët që janë kujdestarë të fëmijëve.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu kritere më të përcaktuara për vlerësimin e rrezikut. Sipas Ramës, heshtja e një personi apo mospranimi i akuzës nuk duhet të përdoren si tregues më vete të rrezikshmërisë, ndërsa rreziku duhet të jetë konkret dhe gjykata duhet të bëjë vlerësimin e saj të pavarur.
Në paketën e propozuar përfshihen edhe rregulla të tjera që lidhen me hetimet, provat dhe të drejtat e mbrojtjes. Sipas raportimeve për draftin, ndër ndryshimet është edhe detyrimi që prokurori të argumentojë vijimin e masës së sigurisë në mënyrë periodike.
Projektndryshimet janë pjesë e procesit për reformimin e legjislacionit penal dhe përshtatjen e tij me procesin e integrimit evropian.
