Shqipëria ka shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në zhvillimin e sportit të skive. Federata Shqiptare e Skive organizoi për herë të parë në Tiranë eventin “Ski Excellence Night”, një mbrëmje kushtuar sportistëve, trajnerëve, partnerëve dhe të gjithë atyre që kanë kontribuar në rritjen e skive shqiptare.
Eventi mblodhi rreth 200 të ftuar dhe u zhvillua për të përkujtuar një sezon të veçantë për skijimin shqiptar. Sezoni 2025/26 u konsiderua një moment historik, pasi Shqipëria siguroi katër kuota në ski alpine për Lojërat Olimpike Dimërore Milano Cortina 2026.
Një prej emrave kryesorë të mbrëmjes ishte Lara Colturi, e cila u shpall “Sportistja më e mirë e vitit”. Skiatorja që përfaqëson Shqipërinë ka regjistruar deri tani shtatë podiume në Kupën e Botës, duke u pozicionuar gjithnjë e më shumë mes sportisteve të rëndësishme të skive alpine.
Në kategorinë e meshkujve, çmimi “Sportisti më i mirë i vitit” iu dha Denni Xhepës, ndërsa Daniela Ceccarelli, nëna dhe trajnerja e Lara Colturi, u vlerësua si “Trajnerja më e mirë e vitit” për rolin e saj në zhvillimin e sportistes shqiptare.
Mbrëmja mori edhe një dimension ndërkombëtar me pjesëmarrjen e Diego Züger, bashkëdrejtor ekzekutiv i Swiss-Ski, i cili vlerësoi progresin e Shqipërisë në këtë sport. Ai theksoi se zhvillimi i skive në një vend pa traditë të gjatë në këtë sport përbën një arritje veçanërisht të rëndësishme.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm ishte rritja e vëmendjes ndaj skive në Shqipëri. Për herë të parë, garat e Kupës së Botës ku merrnin pjesë sportistë shqiptarë u transmetuan në televizionet kombëtare përmes një programi të dedikuar, duke e bërë këtë sport më të aksesueshëm për publikun vendas.
“Ski Excellence Night” shënon kështu një tjetër kapitull në rrugëtimin e skive shqiptare, që nga një sport dikur i konsideruar si një ëndërr e largët, tashmë po fiton gjithnjë e më shumë prani dhe vëmendje në arenën ndërkombëtare.



