Anthony Joshua ka tërhequr vëmendjen jo vetëm me fitoren e tij bindëse në ring, por edhe me një gjest që është vlerësuar gjerësisht nga publiku shqiptar. Menjëherë pas triumfit me nokaut ndaj boksierit shqiptar Kristian Prenga, ish-kampioni i botës kërkoi një flamur shqiptar dhe e ngriti lart, duke treguar respekt për kundërshtarin dhe tifozët shqiptarë të pranishëm në arenë.
Pamjet u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale, ku shumë ndjekës e cilësuan veprimin e Joshua-s si një shembull të vlerave sportive dhe respektit që duhet të ekzistojë mes rivalëve, pavarësisht rezultatit të ndeshjes. Në një moment simbolik, Joshua mbante në njërën dorë flamurin shqiptar dhe në tjetrën flamurin britanik, duke përcjellë një mesazh bashkimi dhe respekti mes dy vendeve.
Sa i përket sfidës në ring, Joshua arriti të fitonte me nokaut teknik në raundin e dytë. Megjithatë, ndeshja nuk ishte aq e lehtë sa pritej, pasi Kristian Prenga zhvilloi një raund të parë shumë të mirë, duke e vendosur disa herë britanikun në vështirësi. Përvoja, fuqia dhe ritmi i Joshua-s bënë diferencën në vazhdim, duke i siguruar fitoren.
Edhe pse rezultati shkoi në favor të britanikut, momenti që po bën xhiron e internetit mbetet ai pas ndeshjes, kur Anthony Joshua zgjodhi të nderojë kundërshtarin shqiptar me flamurin kuqezi, një gjest që u prit me duartrokitje dhe vlerësime të shumta nga publiku.
