Në rrjetet sociale po qarkullon gjithnjë e më shumë një term i ri i quajtur “shrekking”, i cili lidhet me mënyrën se si disa të rinj të Gen Z po i qasen marrëdhënieve romantike. Termi vjen nga ideja e zgjedhjes së një partneri që perceptohet si “jo shumë tërheqës”, me bindjen se ai do të jetë më i sjellshëm, më besnik dhe më i kujdesshëm në raport.
Ky trend po diskutohet gjerësisht sepse sfidon mënyrën tradicionale të zgjedhjes së partnerit, ku shpesh fokusi ishte tek pamja fizike ose “ideali romantik”. Në rastin e “shrekking”, theksi vihet tek sjellja dhe pritshmëria emocionale, jo tek estetika.
Megjithatë, psikologët dhe përdoruesit e rrjeteve sociale kanë mendime të ndara. Disa e shohin si një mënyrë më të “praktikë” për të shmangur zhgënjimet në marrëdhënie, ndërsa të tjerë e konsiderojnë një qasje sipërfaqësore që mund të krijojë pritshmëri të gabuara dhe marrëdhënie të paqëndrueshme.
Debati është ndezur sidomos në platforma si TikTok dhe Instagram, ku përdoruesit ndajnë eksperienca personale, meme dhe mendime të ndryshme për këtë fenomen. Disa e quajnë një “strategji emocionale”, ndërsa të tjerë thonë se është thjesht një tjetër trend kalimtar i internetit.
