Rritet numri i të rinjve shqiptarë që po abuzojnë me drogat. Mjekët toksikologë ngrejnë shqetësimin se, ndryshe nga vitet më parë kur marijuana ishte më e përhapur, tashmë po gjen përdorim më të gjerë kokaina. Një fenomen tjetër që evidentohet së fundmi është edhe ulja e moshës së atyre që paraqiten për ndihmë për shkak të përdorimit të lëndëve narkotike.
“Me kalimin e kohës përdorimi i substancave është rritur. Në urgjencë, por edhe në shërbimin e toksikologjisë, pacientët që kërkojnë ndihmë për alkoolin dhe substancat janë shtuar. Flasim për moshën mbi 14 vjeç që janë prezentë në pjesën e urgjencës. Kemi konsumimin e marijuanës, kokainës dhe të alkoolit, por edhe drogave të ndryshme sintetike që mund të jenë në qarkullim. Kokaina dhe alkooli po përdoren më shumë. Grupmosha më e shpeshtë që vjen janë të rinjtë”, thotë Matilda Kambo, toksikologe.
Sipas mjekëve, të rinjtë që janë eksperimentues apo përdorues të rregullt të lëndëve narkotike paraqiten në urgjencë me shenja klinike.
“Një gjendje ankthi, rrahje të shpeshta të zemrës, ndjesi sikur po mbyten, paranoja akute, humor i shtuar”, thotë.
Sipas ekspertëve përdorimi i drogës, krahas varësisë, sjell edhe shqetësime shëndetësore, përfshi edhe ato që kanë të bëjnë me shëndetin mendor.
“Droga krijon varësi dhe shpesh përdoren dy substanca bashkë, ose rritet përdorimi i marijuanës dhe me kalimin e kohës shfaqen probleme të shëndetit mendor”, shton Kambo.
Mjekët rekomandojnë kujdes të shtuar nga prindërit dhe shoqëria për të rinjtë që mund të shfaqin shenja të përdorimit të këtyre lëndëve narkotike dhe të kontaktojnë me specialistët për të shmangur pasoja më të rënda.
