Arbër Hajdari ka ndarë në rrjetet sociale një moment të veçantë nga fjalimi i tij, duke shënuar plot 10 vite të “Fundjavë Ndryshe”, nismës humanitare që ka prekur mijëra jetë në Shqipëri.
Në videon e publikuar, Hajdari shfaqet tejet i emocionuar teksa thekson se “Fundjavë Ndryshe” lindi si një ëndërr, por u bë realitet falë zemrës së shqiptarëve.
“Festuam 10 vite punë, humanizëm dhe dashuri për njerëzit e këtij vendi,” – shprehet ai. Gjatë fjalës së tij, Hajdari nënvizon se në çdo derë ku kanë trokitur, kanë parë sa shumë vlen të mos heqësh dorë nga njeriu, duke shtuar se Zoti i ka dhënë secilit një detyrë të shenjtë: të kujdesemi për njëri-tjetrin.
Ai thekson se pavarësisht sfidave, ky mision nuk do të ndalet.
“Ju faleminderit me gjithë zemër për mbështetjen, besimin dhe dashurinë që keni dhënë për një dekadë të tërë,” – përfundon Hajdari, duke i drejtuar mirënjohjen të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi.
Postimi i tij ka marrë dhjetëra reagime pozitive, duke reflektuar kontributin e jashtëzakonshëm të nismës humanitare dhe ndikimin e saj te komuniteti.
