Shkrimtari dhe publicisti i njohur, Ben Blushi, është kthyer në qendër të vëmendjes letrare me lajmin e publikimit të romanit të tij të ri, i cili mban një titull sa të thjeshtë, aq edhe provokues: “Jam Mysliman”.
Blushi ka zbuluar detaje nga libri, duke sqaruar menjëherë se ky titull nuk është një deklaratë personale, por një akt i pastër letrar, duke e ndarë prerë rolin e autorit nga ai i personazhit.
“Jam një ateist, por fjalia shkon në gojën time”
Vetë Blushi ka adresuar pikëpyetjet e publikut që mund të ngrihen nga titulli i romanit, duke theksuar lirinë absolute të shkrimtarit:
“E di që shumë njerëz do habiten me titullin e romanit tim të ri po nuk është kjo arsyeja pse e kam shkruar. Unë jam një ateist dhe fjalia ‘Jam Mysliman’ duket sikur nuk shkon në gojën time. E megjithatë unë mendoj se shkon. Nuk ka asnjë fjali që një shkrimtar nuk mund ta thotë me gojën e personazheve të vet.”
Romani, sipas autorit, duhet lexuar “si letërsi dhe asgjë tjetër”, duke ftuar publikun të shmangë interpretimet politike apo biografike.
“Jam Mysliman” përshkruan historinë e një shkrimtari, i cili, pas një sërë peripecish dhe luhatjesh në jetën e tij private, merr një vendim të befasishëm: të bëhet mysliman.
Në qendër të rrëfimit është ndryshimi gradual i pikëpamjeve të protagonistit për Islamin, i cili kulmon gjatë një vizite në Mekë, ku ai shprehet se “mrekullohet”. Udhëtimi shpirtëror i personazhit mbyllet pas një incidenti me një grup fanatikësh, ku ai vendos të bëjë publik vendimin e tij.
“Në fund, pas një incidenti me një grup fanatikësh, shkrimtari shpall në facebook vendimin e tij me shënimin: Jam Mysliman. Kjo fjali i ka dhënë dhe titullin librit.”
Promovimi dhe Data e Daljes
Romani “Jam Mysliman” do të promovohet zyrtarisht të hënën pasdite, me date 10/11/2025.
Duke nisur nga dita e martë, libri do të jetë i disponueshëm në të gjitha libraritë e vendit, si dhe do të jetë një ndër veprat kryesore në Panairin e Librit.
Pritet që ky roman të ngjallë debate të forta letrare dhe sociale, duke pasur parasysh natyrën delikate dhe personale të temës që trajton përmes zërit të personazhit.

