Brikena Selmani duket se ka nisur të punojë për një projekt të ri muzikor, por këtë herë mund të mos jetë vetëm. Një postim i fundit në Instagram ka mjaftuar për të zgjuar kureshtjen e ndjekësve, të cilët kanë nisur të hamendësojnë se me cilën artiste shqiptare mund të jetë duke bashkëpunuar.
Ish-banorja e Big Brother VIP ka publikuar një fotografi nga një ambient që ngjan me një studio muzikore, ku në sfond dallohen mikrofoni dhe pajisjet e incizimit. Krahas fotos, Brikena ka lënë edhe një pyetje për ndjekësit: “ft?? E gjeni dot me cilën ikonë shqiptare?”
Pikërisht ky detaj ka shtuar dyshimet se bëhet fjalë për një bashkëpunim muzikor me një emër të njohur të skenës shqiptare.
Një prej artisteve që ka tërhequr vëmendjen në këtë histori është Gjyste Vulaj. Kjo e fundit e kishte mbështetur publikisht Brikenën gjatë eksperiencës së saj në Big Brother, ndaj nuk përjashtohet mundësia që afrimiteti mes tyre të jetë shndërruar edhe në një projekt të përbashkët.

