Mohamed Hadid, biznesmeni i njohur dhe babai i supermodeleve Gigi dhe Bella Hadid, ka vendosur të kurorëzojë dashurinë me partneren e tij, modelen Keni Silva. Në moshën 79-vjeçare, ai i ka propozuar martesë 43-vjeçares, me të cilën ka një lidhje prej disa vitesh.
Lajmi i fejesës u bë publik më 13 nëntor, gjatë mbrëmjes gala të organizuar nga revista “Vogue Arabia” në Dubai, ku çifti ndau me të pranishmit këtë kapitull të ri të marrëdhënies së tyre.
Propozimi kishte ndodhur më herët në Los Angeles, në ambientet e restorantit luksoz “The Polo Lounge”. Silva nuk e kishte pritur aspak këtë surprizë, pasi mendonte se partneri po e ftonte për të festuar një arritje të saj profesionale.
Në një prononcim për “Vogue Arabia”, modelja u shpreh se dashuria dhe mundësitë për të nisur një jetë të re nuk kanë kufi moshe.
“Dashuria nuk ka afat skadimi, ashtu siç nuk kanë as ëndrrat tona. Gjithmonë mund të fillosh nga e para, të gjesh sërish dashurinë dhe ta përjetosh përrallën tënde”, tha ajo.
Silva theksoi gjithashtu se dëshiron që historia e tyre të shërbejë si një mesazh inkurajues për gratë që kanë kaluar një divorc, duke u kujtuar se një ndarje nuk shënon fundin e mundësive për lumturi.
Edhe Hadid foli me shumë emocion për partneren, duke zbuluar se cilat janë cilësitë që e kanë bërë të dashurohet me të.
Ai veçoi natyrën e saj të thjeshtë, dashurinë për jetën dhe për fëmijët, ndërsa shtoi se tërheqja ndaj saj ishte pothuajse e menjëhershme, por njohja më e thellë i zbuloi edhe bukurinë e saj të brendshme.
Nga ana e saj, Keni vlerëson te biznesmeni mirësinë, pasionin dhe zemërgjerësinë, por një nga gjërat që e bën të ndihet më mirë pranë tij është aftësia për ta bërë të qeshë. Ajo tregoi gjithashtu se Hadid e mbështet në planet profesionale, e nxit të ndjekë synimet e saj dhe nuk përpiqet t’i kufizojë pavarësinë.
Pavarësisht lajmit të fejesës, dyshja nuk duket se ka ndërmend të organizojë një dasmë në një të ardhme të afërt.
Keni Silva është modele me origjinë ruse, autore dhe këshilltare e certifikuar për personat që përballen me procesin e divorcit. Ajo ka qenë gjithashtu pjesë e reality show-t “The Real Housewives of Orange County”.
Nga martesa e mëparshme, me një partner 30 vite më të madh se ajo, Silva ka dy fëmijë: vajzën Alexis, 18 vjeçe, dhe djalin Joshua, 14 vjeç.
Romanca mes saj dhe Mohamed Hadid nisi të bëhej publike në vitin 2023. Diferenca prej 36 vitesh mes tyre ka qenë shpesh objekt diskutimi në media, por modelja ka treguar se nuk e konsideron moshën një pengesë në marrëdhënien e tyre.
Në një intervistë të mëparshme për “Daily Mail”, ajo iu përgjigj edhe kritikave që ka marrë për këtë arsye, duke theksuar se për të ndjenjat nuk përcaktohen nga vitet.
“Për mua, dashuria nuk ka të bëjë me moshën. Mosha është thjesht një numër. Në shpirt ndihem e re. Kujt i intereson?”, ishte shprehur ajo.

