Grabitja spektakolare e Luvrit do të kthehet në një film artistik. Të drejtat e historisë janë shitur zyrtarisht te kompania e produksionit Iconoclast, ndërsa projekti tashmë ka nisur të marrë formë.
Filmi do të drejtohet nga regjisori francez Romain Gavras, i njohur për stilin e tij energjik dhe filmat me ritëm të lartë, mes tyre Athena. Projekti pritet të sjellë në ekran historinë e grabitjes dhe hetimin që pasoi.
Nga çfarë do të frymëzohet filmi?
Skenari do të bazohet në librin e publikuar së fundmi “Main basse sur le Louvre”, i cili trajton në detaje grabitjen, mënyrën se si autorët arritën të anashkalonin masat e sigurisë dhe hetimin policor që pasoi.
Libri është shkruar nga tre gazetarë francezë investigativë, të cilët kanë hulumtuar edhe dokumente policore për të rindërtuar ngjarjet.
Kur do të nisë xhirimi?
Sipas raportimeve, xhirimet pritet të nisin në vitin 2027, ndërsa filmi synohet të dalë në kinema gjatë vitit 2028. Për momentin nuk është bërë i ditur as titulli zyrtar dhe as aktorët që do të jenë pjesë e kastit.
Ndërkohë, grabitja ka tërhequr aq shumë vëmendje sa një tjetër producent britanik ka siguruar të drejtat për një seri dokumentarësh true crime mbi të njëjtën ngjarje.
Pra, historia e grabitjes së Luvrit duket se nuk do të mbetet vetëm në faqet e kronikës: së shpejti ajo pritet të rikthehet në ekran, këtë herë si një thriller kinematografik.
