Turqia ka bërë të ditur se mbrojtja ajrore e NATO-s ka rrëzuar një raketë të lëshuar nga Irani, e cila sipas autoriteteve turke kishte hyrë në hapësirën ajrore të rajonit dhe ishte drejtuar nga jugu i vendit.
Ministria turke e Mbrojtjes njoftoi se raketa u interceptua ndërsa po kalonte mbi hapësirën ajrore të Irakut dhe Sirisë, përpara se të përbënte kërcënim të drejtpërdrejtë për territorin turk. Sipas deklaratës zyrtare, mbetjet e municionit ranë në një zonë të hapur në provincën Hatay, në jug të Turqisë, pa shkaktuar viktima apo dëme materiale.
Autoritetet theksuan se sistemet e mbrojtjes ajrore vepruan në koordinim me strukturat e NATO-s, duke parandaluar përshkallëzimin e situatës. Turqia është anëtare e aleancës dhe në territorin e saj ndodhen instalime të rëndësishme ushtarake, përfshirë bazën ajrore të Incirlikut, e cila përdoret në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara.
Në deklaratën e saj, Ankaraja zyrtare u shpreh se do të marrë “me vendosmëri dhe pa hezitim” çdo masë të nevojshme për mbrojtjen e territorit dhe hapësirës ajrore të vendit. Po ashtu, theksohet se Turqia ruan të drejtën për t’iu përgjigjur çdo akti armiqësor.
Ndërkohë, autoritetet turke u bënë thirrje të gjitha palëve që të shmangin veprimet që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve në rajon, duke riafirmuar angazhimin për bashkëpunim të ngushtë me NATO-n dhe aleatët e tjerë.
Ngjarja vjen në një moment tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, duke rritur shqetësimet për stabilitetin dhe sigurinë rajonale.
