Nga 1 korriku i vitit të ardhshëm ndryshon skema e mbështetjes financiare për fëmijët. Në vend të pagesës njëherësh prej 40 mijë lekësh për fëmijën e parë, 80 mijë për të dytin dhe 120 mijë për të tretin, familjet do të marrin një pagesë mujore nga lindja e fëmijës deri në moshën 5 vjeç.
Për fëmijën e parë pagesa do të jetë 5 mijë lekë në muaj, për të dytin 7 mijë lekë dhe për të tretin 10 mijë lekë në muaj. Në total, kjo përkthehet në 60 mijë, 84 mijë dhe 120 mijë lekë në vit.
Sipas ekspertëve ndryshimi synon që mbështetja të mos jepet e gjitha në një moment, por të shtrihet në një periudhë më të gjatë, duke i siguruar familjeve të ardhura më të parashikueshme gjatë viteve të para të fëmijës.
Skema synon gjithashtu të nxisë çiftet e reja të kenë më shumë fëmijë.
