Një deklaratë e veçantë nga Austria ka tërhequr vëmendjen e shqiptarëve. Günther Fehlinger-Jahn, i cili ka shpallur synimin për të kandiduar për President Federal të Austrisë në zgjedhjet e vitit 2028, ka deklaruar se nëse zgjidhet, do të punojë për rikthimin në Krujë të përkrenares dhe shpatës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
“Si President, do ta kthej përkrenaren e Skënderbeut dhe shpatën e Skënderbeut në Krujë, Shqipëri. Këtë e premtoj”, është shprehur Fehlinger-Jahn në një video të publikuar nga ai. Përkrenarja dhe shpata që lidhen me Skënderbeun ruhen aktualisht në Vjenë, në koleksionin e Muzeut të Historisë së Artit.
Përkrenarja përmendet në inventarin e vitit 1593 të koleksionit të Ferdinandit II në Kështjellën Ambras, ndërsa më vonë objektet u transferuan në Vjenë. Një rikthim i përkohshëm në Shqipëri ka ndodhur edhe në vitin 2012, kur Austria i dha vendit në huazim përkrenaren dhe shpatën për ekspozitën me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Ato u ekspozuan në Tiranë për disa javë përpara se të riktheheshin në Austri.
