Seriali i ri turk “Mercan Köşk” ka tërhequr menjëherë vëmendjen e publikut, duke kaluar 6 milionë shikime në YouTube që pas episodit të parë. Mes emrave që po spikasin në kast është edhe aktori dhe këngëtari me origjinë shqiptare, Bertan Asllani.
I lindur në Shkup dhe me origjinë shqiptare, Bertan Asllani ka ndërtuar karrierën e tij në Turqi, ku është bërë i njohur për publikun përmes roleve në seriale të ndryshme televizive. Përveç aktrimit, ai është marrë edhe me muzikë, duke dëshmuar se është një artist me disa dimensione.
Në “Mercan Köşk”, Asllani interpreton personazhin e Toprakut, një rol që vjen në një histori të mbushur me dashuri, konflikte dhe hakmarrje mes dy familjeve. Ngjarjet zhvillohen në Tarsus dhe Çukurova, ndërsa ardhja e Cemres në qytet prish ekuilibrat e vendosur prej vitesh.
Në kastin kryesor të serialit janë edhe Kubilay Aka dhe Hafsanur Sancaktutan. Megjithatë, prania e Bertan Asllanit po tërheq vëmendje të veçantë edhe nga publiku shqiptar, i cili po ndjek gjithnjë e më shumë suksesin e aktorit me origjinë shqiptare në ekranet turke.

