Këngëtarja shqiptare Ronela Hajati ka vendosur të pezullojë të gjitha aktivitetet e saj muzikore të planifikuara për këtë fundjavë, në shenjë solidariteti me situatën që ka prekur vendin.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, artistja bëri të ditur se publikimi i këngës së re në bashkëpunim me Capital T do të shtyhet për ditën e hënë. Po ashtu, janë anuluar edhe koncertet dhe angazhimet e tjera artistike të parashikuara për fundjavën.
Në reagimin e saj, Ronela theksoi se vendimi është marrë si një formë respekti ndaj qytetarëve dhe ngjarjeve që kanë tronditur opinionin publik.
“Si një vajzë që nuk jam përfshirë kurrë në politikë dhe që kam qenë gjithmonë e pavarur, kjo më duket gjëja më e vogël që mund të bëj në respekt të popullit që më ka dëgjuar, më ka rritur dhe më ka mbështetur ndër vite”, shkroi ajo.
Në fund të mesazhit, këngëtarja u bëri thirrje ndjekësve që t’i bashkohen protestës së paralajmëruar për t’u mbajtur sot në orën 18:00.

