Shumë njerëz harrojnë shpejt komplimentet apo momentet e bukura, por vazhdojnë të kujtojnë një gabim të vogël edhe pas shumë vitesh. Sipas psikologëve, kjo ndodh sepse truri i njeriut është “programuar” të mbajë mend përvojat negative më fort sesa ato pozitive.
Ekspertët shpjegojnë se kjo lidhet me instinktin e mbijetesës. Në të kaluarën, njerëzit duhej të kujtonin rreziqet dhe gabimet për të shmangur situata të rrezikshme në të ardhmen. Për këtë arsye, truri reagon më fort ndaj momenteve të sikletshme, dështimeve apo kritikave.
Sipas studiuesve, një kritikë e vetme mund të mbetet në mendje më gjatë sesa disa komplimente bashkë. Kjo ndodh sepse përvojat negative aktivizojnë më fort amigdalën — pjesa e trurit që lidhet me emocionet dhe reagimin ndaj rrezikut.
Psikologët thonë gjithashtu se gabimet kanë rol të rëndësishëm në mënyrën si mësojmë. Kur pësojmë një situatë të vështirë, truri krijon lidhje më të forta kujtese për të mos e përsëritur të njëjtin gabim. Pikërisht prej këtej vjen edhe shprehja e famshme: “Po nuk e pësove, nuk mëson.”
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se fokusimi i tepërt tek gabimet mund të krijojë stres dhe overthinking. Kur njeriu rikthen vazhdimisht në mendje momentet negative, trupi çliron më shumë kortizol — hormonin e stresit — duke e bërë trurin edhe më të ndjeshëm ndaj mendimeve negative.
Sipas specialistëve, mënyra më e mirë për ta “stërvitur” trurin është të mos fokusohemi vetëm te dështimet, por edhe te përvojat pozitive dhe mësimet që marrim prej tyre. Ata theksojnë se gabimet janë pjesë normale e jetës dhe shpesh janë ato që na ndihmojnë të rritemi më shumë si njerëz.
