Duke nisur nga 10 prilli hyjnë në fuqi rregullat e reja të lëvizjes në zonën shengen në 29 shtetet anëtare të Bashkimit Europian, pasi do të vendoset plotësisht në funksion sistemi i ri i hyrje -daljeve.
Sipas Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme me këtë ndryshim preken dhe shqiptaret, ku vulat tradicionale në pasaportë do të zëvendësohen me regjistrime digjitale të hyrje-daljeve nga territori i Bashkimit Europian.
“Qytetarët duhet të kenë parasysh sa vijon. Në hyrjen e parë pas datës 10 prill 2026, në pikën kufitare do të regjistrohen: të dhënat e pasaportës; fotografia e fytyrës; gjurmët e gishtërinjve. Refuzimi për të dhënë të dhënat biometrike sjell refuzimin e hyrjes në territorin Shengen”, njofton ministria.
Të dhënat e hyrjeve dhe daljeve (si dhe ato për refuzimet e hyrjes) do të ruhen për 3 vjet. Ministria jonë e Jashtme njofton se në fazën fillestare të zbatimit mund të ketë vonesa në aeroporte, porte dhe pika kufitare tokësore.
Për këtë arsye, qytetarët këshillohen të paraqiten më herët për udhëtim dhe të kenë kujdes që pasaportat e tyre të jenë të vlefshme dhe në gjendje të mirë fizike.
Fëmijët nën 12 vjeç përjashtohen nga dhënia e shenjave të gishtave. Gjatë procesit, udhëtarëve u bëhen katër pyetje të detyrueshme, përfshirë: konfirmimin e adresës së qëndrimit dhe verifikimin e burimeve financiare të mjaftueshme për të mbuluar qëndrimin në zonën Shengen.
Regjistrimi kryhet në momentin e kalimit kufitar dhe nuk kërkohet aplikim paraprak për IES. Sistemi i ri nuk ndryshon rregullin ekzistues të qëndrimit, maksimumi 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme rekomandon që qytetarët të informohen paraprakisht mbi procedurat e reja dhe të planifikojnë udhëtimet e tyre duke marrë në konsideratë kohën shtesë të nevojshme për kontrollet kufitare.
