Baballarët ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e fëmijëve përmes stilit të jetës dhe faktorëve mjedisorë. Studimet tregojnë se përmirësimi i zakoneve dhe shmangia e rreziqeve mund të rrisë fertilitetin dhe të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e embrionit.
Mjedisi i baballarëve influencon mbi shëndetin e fëmijëve. Këtu përfshihen faktorë të tillë si ekspozimi ndaj ndotësve, mjedisi në të cilin janë rritur, aktiviteti fizik, sipas një studimi të publikuar në Nature Reviews Urology e që mban firmën e disa universiteteve ndërkombëtare.
Për dekada të tëra, vëmendja është fokusuar mbi të gjitha mbi nënën, por babai kontribuon me mbi 50% të ADN-së dhe ofron një hartë dinamike të stilit të jetës. Sipas autorëve të studimit, sperma është një mesazh biologjik dhe jo vetëm korrier gjenetik. Spermatozoidet ruajnë gjurmë të shëndetit dhe zakoneve në mënyrën e jetesës, me sinjale molekulare që shërbejnë si rregullatore të gjeneve pa modifikuar sekuencën.
Një pjesë e këtyre informacioneve luan rol kyç në zhvillimin e embrionit që në fazat e para. Ndër faktorët e rrezikshëm që transmeton babai është nxehtësia, sepse ekspozimi i zgjatur në temperatura të larta mund të kompromentojë fertilitetin mashkullor. Megjithatë theksohet në studim se gjurmët e lëna, të dëmshme në këtë rast, janë të modifikueshme falë plasticitetit të lartë të spermatozoidëve.
Është e mundur që për të ndryshuar situatën, mjafton të përmirësohet regjimi ushqimor, të reduktohet ekspozimi ndaj substancave toksike dhe temperaturave të larta për të rritur edhe fertilitetin para se të vendoset të bëhet një fëmijë.
