“Abuzimi online ndaj të miturve po përhapet gjithnjë e më shumë, duke u kthyer në një fenomen shqetësues. Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, gjatë vitit 2025 u evidentuan 387 raste, duke shënuar një rritje të ndjeshme nga viti 2024, kur u regjistruan 147”.
Tipologjitë e rasteve që prekin më shumë minorenët gjatë lundrimit në internet janë: shpërndarja e materialeve intime, si foto dhe video, hapja e profileve false, përndjekja dhe bullizmi online.
“Abuzuesit synojnë pikërisht këtë: krijimin e besimit fillimisht, më pas avancojnë me formën, duke i kthyer në miqësi, dhe më pas marrin të dhënat sensitive, qofshin foto apo të tjera, për të shkuar tek pjesa e abuzimit,” tha Migena Buzra, eksperte e sigurisë kibernetike.
Përveç rrjeteve sociale, ka një sërë platformash që abuzuesit i përdorin për të shënjestruar minorenët.
“Janë shumë platforma ku fëmijët luajnë vazhdimisht: Roblox dhe të tjera”.
Në pamundësi për të larguar fëmijët nga kontakti me teknologjinë, ekspertja Migena Buzra këshillon prindërit që të jenë vigjilentë:
“Ata duhet të fokusohen jo vetëm tek koha që fëmijët shpenzojnë në celular apo tablet, por edhe tek aktiviteti që ata kryejnë. Duhet të instalojnë patjetër programe ‘parental control’. Çdo platformë ka livechat; nëse duhet t’ia lësh fëmijës lojën, mirë është ta çaktivizosh sepse aty futen persona të paidentifikuar, dhe për këtë arsye mund të ndodhë abuzim. Duhet të ndërgjegjësohet fëmija që të mos dërgojë foto”.
Rritja e rasteve të abuzimit online, sipas ekspertëve, tregon nevojën emergjente për forcimin e masave parandaluese, ndërsa sfidë për autoritetet ligjzbatuese mbetet ende hezitimi për të denoncuar dhe edukimi digjital i prindërve.
