Një gabim drejtshkrimor, një këngë e harruar apo një sticker i vendosur gabimisht nuk do të jenë më arsye për të fshirë dhe ripublikuar një Story në Instagram.
Platforma ka prezantuar një funksion të ri që u mundëson përdoruesve të modifikojnë Story-t edhe pasi janë publikuar. Përmes këtij përditësimi, përdoruesit mund të ndryshojnë tekstin, muzikën, sticker-at dhe vizatimet, pa pasur nevojë ta fshijnë postimin dhe ta ngarkojnë nga e para.
Megjithatë, ekziston një kufizim i rëndësishëm: ndryshimet mund të bëhen vetëm brenda 15 minutave nga momenti i publikimit. Për ta përdorur këtë opsion, duhet të hapni Story-n e publikuar, të klikoni te tre pikat në cepin e poshtëm të ekranit dhe më pas të zgjidhni “Edit Story”.
Një tjetër detaj i rëndësishëm është se, pas modifikimit, Story ruan shikimet, pëlqimet dhe përgjigjet që ka marrë deri në atë moment. Ndërkohë, për të bërë të ditur se përmbajtja është ndryshuar, Instagram do të shfaqë etiketën “Edited”.
Përveç këtij funksioni, Instagram po sjell edhe përmirësime të tjera në krijimin e Story-ve, përfshirë modele të reja sticker-ash, shkronja dhe ngjyra të ndryshme, si dhe më shumë mundësi për sfondet me ngjyra, gradient dhe efekte blur.
Përditësimi synon ta bëjë më të lehtë përdorimin e platformës, veçanërisht për krijuesit e përmbajtjes dhe bizneset që publikojnë çdo ditë në Instagram.
