Një këngë që nisi si pjesë e një feste familjare, sot është kthyer në një fenomen viral, duke pushtuar rrjetet sociale dhe duke u kënduar nga të gjithë. Bëhet fjalë për “Përhajr”, kënga e këngëtarit Timo, suksesi i së cilës duket se ka tejkaluar çdo pritshmëri të tij.
I ftuar në emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova, Timo ka folur për jehonën e madhe që ka marrë kënga, duke pranuar se nuk e kishte imagjinuar kurrë që do të bëhej kaq e njohur.
Sipas këngëtarit, një nga arsyet që kënga është përhapur kaq shumë lidhet me videot e familjeve që e përdorin atë për të ndarë momente me fëmijët dhe djemtë e tyre. Pikërisht ky dimension familjar duket se e ka bërë këngën të fitojë edhe më shumë vëmendje në TikTok dhe rrjete të tjera sociale.
“Unë personalisht jam pak në shok. E di çka është duke ndodhur, por nuk jam duke e ditë, me një fjalë nuk mundem me e përshkru me fjalë, sepse jam në huti”, është shprehur Timo, duke treguar habinë e tij për suksesin e papritur.
Por këngëtari bëri edhe një deklaratë që tërhoqi vëmendje, duke theksuar se, sipas miqve të tij në estradë, një hit i tillë nuk është parë prej vitesh.
“Sipas shoqërisë që i kam në estradë, dekadën e fundit kësi hiti nuk është bërë asnjëherë”, tha ai.
Nga një këngë që lidhet me atmosferën familjare, “Përhajr” është kthyer në një fenomen që po përhapet përmes videove të publikut. Ndërsa rrjetet sociale vazhdojnë ta mbajnë në qendër të vëmendjes, Timo mbetet i surprizuar nga jehona që ka marrë kënga e tij.
