Të ushqehesh shëndetshëm, të stërvitesh dhe të kujdesesh për trupin duket si formula perfekte për një jetë më të mirë. Por çfarë ndodh kur dëshira për të qenë “sa më i shëndetshëm” kthehet në një obsesion?
Një studim i ri nga Universiteti Flinders ka analizuar 300 postime të njohura në TikTok dhe Instagram me përmbajtje rreth “healthy lifestyle”, ushqyerjes dhe “clean eating”. Studiuesit vunë re se shumë prej tyre promovonin rregulla të rrepta ushqimore, ndarje të ushqimeve në “të mira” dhe “të këqija” dhe një lidhje të fortë mes shëndetit dhe pamjes fizike.
Sipas kërkimit, 67% e postimeve theksonin ushqyerjen “clean” ose të shëndetshme, ndërsa pothuajse një e treta promovonte kufizime apo rregulla të caktuara për ushqimin. Kjo mund të krijojë idenë se për të qenë i shëndetshëm duhet të ndjekësh një dietë perfekte dhe të mos lejosh asnjë “gabim”.
Studiuesit paralajmërojnë se një fokus i tepruar te ushqimi “i pastër” mund të lidhet me ortoreksinë, një prirje ku personi bëhet tepër i fiksuar pas konsumimit vetëm të ushqimeve që i konsideron të shëndetshme. Kërkime të tjera kanë lidhur këto sjellje edhe me perfeksionizmin dhe vetëkritikën.
Mesazhi nuk është se një stil jetese i shëndetshëm është problem. Përkundrazi, aktiviteti fizik, ushqyerja e balancuar, gjumi dhe menaxhimi i stresit janë pjesë të rëndësishme të shëndetit. Por ekspertët theksojnë se shëndeti nuk duhet të kthehet në një garë për perfeksion. Një mënyrë jetese e shëndetshme duhet të jetë e qëndrueshme, fleksibël dhe e përshtatur me nevojat e secilit.
