A ju ka ndodhur të blini diçka që nuk ju nevojitej, por në momentin që e patë nuk mund t’i rezistonit? Ky fenomen shpesh lidhet me atë që në rrjetet sociale quhet “dopamine shopping” – kënaqësia dhe emocioni që mund të shoqërojnë procesin e blerjes.
Dopamina lidhet me sistemin e shpërblimit dhe motivimit të trurit, ndaj një ofertë, një produkt i ri apo një porosi online mund të na japë një ndjesi të menjëhershme kënaqësie.
Rrjetet sociale dhe platformat online e bëjnë këtë edhe më të lehtë. Reklamat e personalizuara, videot me produkte, uljet dhe ofertat me kohë të kufizuar mund të na shtyjnë të blejmë pa e pasur planifikuar.
Për disa njerëz, blerja mund të bëhet edhe një mënyrë për të përmirësuar përkohësisht humorin kur ndihen të stresuar apo të mërzitur. Prandaj, para një blerjeje impulsive, mund të ndihmojë të bëni një pauzë dhe të pyesni veten: “A më duhet vërtet kjo?”
Ndonjëherë, mjaftojnë vetëm disa orë që dëshira për ta blerë të zhduket.
