Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka mbështetur propozimin që Kanadaja të bëhet “anëtari i parë i asociuar” i Bashkimit Evropian, duke sinjalizuar një afrim të ri dhe më të thellë mes Kanadasë dhe BE-së.
Në fjalimin e saj në Parlamentin Evropian, Von der Leyen tha se dëshiron t’i “hapë derën” Kanadasë për një bashkëpunim më të gjerë në sektorë strategjikë, përfshirë teknologjinë, mbrojtjen, inteligjencën artificiale, sigurinë kibernetike, mineralet kritike dhe bateritë për energjinë.
Sipas saj, BE-ja dhe Kanadaja mund të krijojnë një “aleancë për të ardhmen”, duke ndërtuar një hapësirë të përbashkët prosperiteti dhe sigurie ekonomike. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit në Arktik dhe integrimit të bazave industriale të mbrojtjes.
Në Parlamentin Evropian ishte i pranishëm edhe kryeministri kanadez, Mark Carney, i cili ditët e fundit ka folur për krijimin e një “aleance unike” me Bashkimin Evropian, në një kohë kur marrëdhëniet tregtare mes Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara janë tensionuar.
Von der Leyen propozoi gjithashtu krijimin e një Këshilli Evropian të Sigurisë, ku do të merrnin pjesë edhe vende partnere si Britania e Madhe, Ukraina, Kanadaja dhe Norvegjia, përballë sfidave të sigurisë në kontinent.
Ndërkohë, ajo njoftoi se vitin e ardhshëm do të organizohet një “Kongres i Ri i Europës”, me rastin e 70-vjetorit të Traktatit të Romës.
