Një ngjarje e rëndë ka tronditur Kosovën, pasi Laurent Krasniqi, i njohur për publikun nga rrjetet sociale dhe pjesëmarrja në “Big Brother VIP Kosova 3”, ka humbur jetën në moshën vetëm 29-vjeçare.
Sipas raportimeve, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 2 shtatorit në zonën e Llukarit, në Prishtinë, ku Krasniqi ishte duke udhëtuar me motoçikletë dhe u përfshi në një aksident.
29-vjeçari u dërgua për ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), por, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra. Vdekja e tij u konstatua në orën 21:40.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit në Llukar. Sipas zëdhënëses së Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, në aksident janë përfshirë një automjet dhe një motoçikletë, ndërsa me rastin po merret njësiti rajonal i trafikut.
Humbja e Laurent Krasniqit në një moshë kaq të re ka lënë pas dhimbje të madhe te familjarët, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën përmes ekranit dhe rrjeteve sociale.
