Ka nisur zyrtarisht në Las Vegas gjyqi për vrasjen e reperit legjendar Tupac Shakur, gati 30 vite pas të shtënave fatale të vitit 1996. Në bankën e të akuzuarve ndodhet Duane “Keffe D” Davis, i vetmi person i akuzuar deri tani për vrasjen e reperit.
Gjatë deklaratave hapëse, prokuroria pretendoi se Davis ishte personi që planifikoi dhe drejtoi sulmin, si hakmarrje pas një përleshjeje ku ishte përfshirë nipi i tij, Orlando Anderson. Prokurorët theksuan se Davis nuk ishte ai që qëlloi me armë, por akuzohet se organizoi sulmin dhe siguroi armën.
Mbrojtja: “Është trillim”
Davis është deklaruar i pafajshëm. Avokatët e tij kundërshtojnë versionin e prokurorisë dhe argumentojnë se nuk ka prova të mjaftueshme që ta lidhin drejtpërdrejt me organizimin e vrasjes.
Një pjesë e rëndësishme e çështjes lidhet me deklaratat që Davis ka bërë ndër vite, përfshirë intervistat dhe kujtimet e tij të publikuara në vitin 2019. Prokuroria pretendon se këto deklarata ndihmojnë në ndërtimin e versionit të saj, ndërsa mbrojtja thotë se Davis ka ekzagjeruar ose ka sajuar pjesë të historisë për arsye personale dhe financiare.
Nëse shpallet fajtor, Davis mund të përballet me burgim të përjetshëm. Procesi pritet të zgjasë disa javë dhe mund të sjellë në sallën e gjyqit dëshmi të reja rreth një prej vrasjeve më të bujshme të historisë së hip-hopit.
Tupac Shakur u qëllua në Las Vegas më 7 shtator 1996 dhe vdiq gjashtë ditë më vonë. Tani, pas gati tre dekadash, çështja më në fund po shqyrtohet para një jurie.
