Një teori që po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale ka bërë që shumë përdorues të WhatsApp të kontrollojnë listën e kontakteve të tyre, duke u përpjekur të zbulojnë kuptimin e ngjyrave që shfaqen në fotot standarde të profilit. Sipas pretendimeve që janë bërë virale në internet, çdo ngjyrë do të kishte një domethënie të fshehur në raport me marrëdhënien që keni me një kontakt të caktuar. Teoria sugjeron se ngjyra jeshile e errët tregon se personi nuk e ka ruajtur numrin tuaj, e kuqja se komunikoni rrallë me të, bluja se jeni bllokuar, ndërsa jeshilja e hapur se dikur keni pasur kontakte të shpeshta, por me kalimin e kohës jeni distancuar.
Megjithatë, pavarësisht se tingëllon bindëse dhe ka nxitur shumë diskutime online, nuk ka asnjë provë që e mbështet këtë teori. WhatsApp nuk ka konfirmuar kurrë ekzistencën e një sistemi të tillë dhe, sipas informacioneve të disponueshme, ngjyrat e profileve pa fotografi zgjidhen në mënyrë automatike dhe rastësore nga aplikacioni. Kjo do të thotë se ngjyra që shihni pranë një kontakti nuk jep asnjë informacion për faktin nëse ai ju ka ruajtur numrin, ju ka bllokuar apo sa shpesh komunikoni me të.
Ekspertët e teknologjisë këshillojnë përdoruesit të jenë të kujdesshëm me teoritë virale që qarkullojnë në rrjet, pasi shumë prej tyre nuk bazohen në informacione zyrtare dhe mund të krijojnë keqkuptime të panevojshme. Pra, nëse keni parë një kontakt me ngjyrë blu, të kuqe apo jeshile, mos u shqetësoni. Nuk është një mesazh sekret nga WhatsApp dhe sigurisht nuk do të thotë automatikisht se dikush ju ka bllokuar.

