Temperaturat e larta nuk ndikojnë vetëm te njerëzit, por edhe te telefonat, laptopët dhe pajisjet e tjera elektronike. Ekspozimi i gjatë në diell mund të shkaktojë mbinxehje dhe dëmtime, ndaj është e rëndësishme të ndiqni disa hapa të thjeshtë.
Mbajini pajisjet gjithmonë në hije dhe shmangni përdorimin e tyre për gjatë në diell. Mos i vendosni kurrë në frigorifer për t’i ftohur shpejt, pasi ndryshimet e menjëhershme të temperaturës dhe lagështia mund të dëmtojnë baterinë dhe komponentët e brendshëm.
Gjatë ditëve të nxehta, përpiquni të mos i mbingarkoni pajisjet me lojëra të rënda, video të gjata, përdorim intensiv të aplikacioneve ose karikim të zgjatur. Ulja e ndriçimit të ekranit dhe aktivizimi i kursimit të baterisë mund të ndihmojnë në uljen e temperaturës.
Gjithashtu, një ambient i freskët me ventilator ose kondicioner mund të ndihmojë në ruajtjen e temperaturës normale të pajisjeve. Në raste të nxehtësisë ekstreme, heqja e përkohshme e mbulesave mbrojtëse mund të lejojë qarkullimin më të mirë të ajrit.
Një kujdes i vogël gjatë verës mund të zgjasë jetën e telefonit dhe pajisjeve tuaja elektronike.
