Një lajm i mirë pritet për qytetarët shqiptarë që udhëtojnë shpesh në vendet e Bashkimit Europian. BE-ja ka dhënë dritën jeshile për nisjen e negociatave që synojnë heqjen e tarifave roaming mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të unionit.
Sipas informacioneve të publikuara, ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së kanë rënë dakord për fillimin e këtij procesi, ndërsa vendimi formal pritet të miratohet nga Këshilli i Bashkimit Europian. Pas kësaj, do të nisin negociatat individuale me secilin vend të rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë.
Heqja e roaming-ut do të thotë se qytetarët shqiptarë do të mund të përdorin telefonin e tyre në vendet e BE-së pa paguar tarifa shtesë për telefonata, SMS apo internet. Në praktikë, do të zbatohen të njëjtat tarifa që përdoruesit paguajnë në vendin e tyre të origjinës, sipas modelit europian “Roam Like at Home”.
Ky zhvillim konsiderohet një hap i rëndësishëm jo vetëm për qytetarët, por edhe për bizneset dhe sektorin e turizmit. Eliminimi i kostove shtesë të komunikimit pritet të lehtësojë lëvizjen, komunikimin dhe bashkëpunimin mes vendeve të rajonit dhe Bashkimit Europian.
Zyrtarët europianë shpresojnë që negociatat të përfundojnë deri në fund të vitit, me synimin që sistemi pa tarifa roaming të hyjë në fuqi gjatë vitit të ardhshëm. Megjithatë, afatet përfundimtare do të varen nga ecuria e negociatave dhe gatishmëria e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të përmbushur kriteret e nevojshme.
Nëse marrëveshja finalizohet, shqiptarët do të kenë një përfitim të prekshëm në përditshmëri, duke përdorur telefonin në vendet e BE-së pa u shqetësuar për faturat e larta të roaming-ut, një ndryshim që konsiderohet si një tjetër hap drejt integrimit europian.
