Lara Colturi vazhdon të dhurojë emocione në arenën ndërkombëtare të skive! Skiatorja që përfaqëson Shqipërinë ka siguruar një tjetër podium në Kupën e Botës, duke u renditur e dyta në garën e Slalomit në Levi të Finlandës.
Pas suksesit në Sölden të Austrisë, ku tri javë më parë përfundoi gjithashtu në vendin e dytë, 19-vjeçarja konfirmon formën e shkëlqyer në nisje të sezonit të ri.
Colturi zhvilloi një lëshim të parë fantastik, duke regjistruar kohën 56 sekonda e 10 të qindtat dhe duke u renditur e dyta, pas skiatores gjermane Emma Aicher.
Megjithatë, lëshimi i dytë rezultoi më i vështirë për skiatoren shqiptare. Një gabim gjatë zbritjes bëri që ajo të renditej e teta në këtë fazë të garës, duke humbur mundësinë për të luftuar për vendin e parë.
Në përfundim të të dy lëshimeve, Lara Colturi regjistroi kohën totale 1 minutë, 53 sekonda e 5 të qindtat, vetëm 43 të qindtat larg fitueses Emma Aicher.
Pavarësisht se nuk arriti të merrte vendin e parë, ky është një tjetër rezultat i rëndësishëm për 19-vjeçaren, e cila po e nis sezonin me paraqitje mbresëlënëse.
Shqipëria vijon të përfaqësohet denjësisht në skenën e madhe të skive, ndërsa sytë janë sërish te garat e ardhshme të Lara Colturit në Kupën e Botës.
