Botuesja Arlinda Dudaj ka vënë në fokus rëndësinë e librit “Spanja në demokraci”, një vepër e historianit Charles Powell, që rrëfen rrugëtimin e Spanjës nga diktatura drejt demokracisë.
Gjatë prezantimit të librit, Dudaj u shpreh se kjo vepër bëhet gjithnjë e më aktuale, pasi ngre pyetje të rëndësishme mbi demokracinë, lirinë dhe mendimin e lirë.
“Ky është një nga ata libra që bëhet gjithmonë e më aktual. Ne gjithmonë pyesim: Çfarë është demokracia? Si vjen demokracia? A e kemi ne demokracinë? A kemi liri mendimi?”, u shpreh Arlinda Dudaj.
Libri dokumenton tranzicionin spanjoll pas vdekjes së diktatorit Francisco Franco në vitin 1975 dhe procesin e transformimit të vendit përmes kompromisit politik dhe reformave.
Vepra shihet gjithashtu si një pasqyrë historike për Shqipërinë, e cila vijon të përballet me sfidat e konsolidimit demokratik dhe integrimit evropian.
