Një risi e shumëpritur po vjen në WhatsApp dhe mund të ndryshojë mënyrën se si përdoruesit komunikojnë çdo ditë. Aplikacioni ka nisur testimin e funksionit të ri “Scheduled Messages”, i cili do t’i lejojë përdoruesit të shkruajnë mesazhe paraprakisht dhe të zgjedhin datën dhe orën kur ato do të dërgohen automatikisht.
Sipas platformës teknologjike WABetaInfo, funksioni po shpërndahet për disa përdorues të versionit beta të WhatsApp për iPhone, përmes përditësimit 26.42.10.19 në TestFlight. Testimi në Android kishte nisur më herët gjatë muajit tetor.
Por si do të funksionojë kjo risi?
Përdoruesit do të duhet të shkruajnë mesazhin në bisedën përkatëse dhe më pas të mbajnë të shtypur butonin e dërgimit. Në ekran do të shfaqet mundësia për të zgjedhur datën dhe orën e dëshiruar. Pasi të konfirmohet zgjedhja, mesazhi do të ruhet dhe do të dërgohet automatikisht në momentin e caktuar, edhe nëse telefoni është jashtë linje ose aplikacioni nuk është i hapur.
Një tjetër detaj interesant është se nuk do të mund të planifikohen vetëm mesazhe me tekst. Funksioni mbështet gjithashtu fotografi, video dhe linke, duke u dhënë përdoruesve më shumë mundësi për të përgatitur komunikimet e tyre.
Sipas WABetaInfo, mesazhet mund të programohen të dërgohen nga 10 minuta deri në dy javë përpara. Kjo mund të jetë veçanërisht e dobishme për urimet e ditëlindjeve, kujtesat, njoftimet në grup apo mesazhet që duhet të mbërrijnë në një orar të caktuar.
WhatsApp ka menduar edhe për menaxhimin e tyre. Mesazhet e planifikuara do të shfaqen në një seksion të veçantë brenda informacionit të bisedës, ku përdoruesit mund t’i shohin dhe t’i fshijnë përpara se të dërgohen. Nëse ndryshoni mendje, marrësi nuk do të njoftohet për fshirjen e mesazhit.
Funksioni do të jetë i disponueshëm edhe në bisedat në grup. Megjithatë, ekziston një veçanti: mesazhin do ta marrin vetëm personat që ishin pjesë e grupit në momentin kur ai u programua.
Një tjetër element i rëndësishëm është se mesazhet e planifikuara do të vazhdojnë të mbrohen nga enkriptimi nga fillimi në fund, njësoj si komunikimet e tjera në WhatsApp.
Për momentin, funksioni është i disponueshëm vetëm për një numër të kufizuar përdoruesish beta në iPhone dhe Android. WhatsApp nuk ka njoftuar ende datën kur do të publikohet për të gjithë përdoruesit.
Duket se një nga funksionet që përdoruesit e kanë kërkuar prej vitesh është më në fund drejt realizimit!