Bejta ka tërhequr vëmendjen e publikut gjatë Prime-it të së hënës në “Big Brother VIP Kosova”, ku u shfaq për herë të parë pa syzet që prej vitesh janë kthyer në një nga elementet më karakteristike të imazhit të tij.
Ky ndryshim në paraqitjen e këngëtarit erdhi pas një kërkese të veçantë nga nëna e tij, e cila shprehu dëshirën për ta parë të birin pa aksesorin që e shoqëron në daljet publike.
Por momenti mori një tjetër dimension pak pas përfundimit të spektaklit, kur Bejta publikoi videoklipin e tij më të ri, “Dera”, ku gjithashtu shfaqet pa syze. Përkimi mes dy ngjarjeve bëri që në rrjet të ngrihej pikëpyetja nëse bëhej fjalë për një rastësi apo për një strategji të menduar promocionale.
Përballë komenteve dhe aludimeve, ekipi i artistit ka reaguar përmes një sqarimi, duke zbuluar prapaskenat e këtij vendimi.
Sipas deklaratës së publikuar nga skuadra e artistit në Instagramin e tij, heqja e syzeve ishte një hap i pashmangshëm, ndërsa i vetmi detaj i panjohur ishte momenti se kur do të ndodhte. Menaxhmenti i tij jashtë shtëpisë së BBVK-së kishte planifikuar që publikimi i këngës “Dera” të përkonte pikërisht me momentin kur Bejta do të shfaqej pa syze.
Për këtë arsye, videoklipi ishte xhiruar paraprakisht pa këtë aksesor, në mënyrë që gjithçka të ishte gati për lançimin në kohën e duhur.
Në sqarim bëhet e ditur gjithashtu se “Dera” është kënga e fundit e EP-së “Daors”. Projekti ka një domethënie të veçantë për artistin, pasi bëhet fjalë për një këngë shumë personale, të cilën Bejta kishte zgjedhur ta ruante për të mbyllur këtë kapitull muzikor.
Mesa duket momenti i shumëkomentuar në shtëpinë e Big Brother nuk ishte një rastësi e lidhur me publikimin e klipit, por pjesë e një plani të përgatitur më herët nga ekipi i këngëtarit.

