Komisioni Evropian propozon që vendet e reja anëtare të BE-së t’i nënshtrohen mbikëqyrjes së shtuar për sundimin e ligjit dhe demokracinë deri në 15 vjet pas anëtarësimit.
Nisma synon të parandalojë raste si Hungaria dhe Polonia, ku ndryshimet në sistemin gjyqësor dhe kontrolli mbi mediat kanë shkaktuar përplasje me Brukselin. Sipas propozimit, vendet që shënojnë regres mund të përballen më lehtë me masa ndëshkuese, përfshirë pezullimin e fondeve evropiane dhe, në raste të caktuara, të drejtën e votës.
Mekanizmi pritet të ketë rëndësi të veçantë për Ballkanin Perëndimor. Mali i Zi, që synon anëtarësimin në vitin 2028, mund të jetë vendi i parë ku do të përfshihen këto masa në traktatin e anëtarësimit.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se sistemi ka kufizime, pasi do të zbatohej për anëtarët e rinj, ndërsa vendet që janë tashmë pjesë e BE-së do t’u nënshtroheshin rregullave ekzistuese.
