Ndërsa u transmetua episodi i parë i sezonit të ri të “Portokalli”, kurioziteti i publikut është i madh për të parë rikthimin e Agron Llakajt në skenën ku dikur ishte një prej figurave kryesore të spektaklit.
Pas 16 vitesh, Llakaj është sërish në “Portokalli”, këtë herë në drejtimin e spektaklit, duke rikthyer edhe një histori të vjetër që lidhet me largimin e tij në vitin 2010. Por le të kujtojmë si ndodhi largimi i bujshëm asokohe?
Në atë kohë u përfol se Llakaj po largohej për t’iu bashkuar TV Klan dhe për të drejtuar “Kush do të bëhet milioner”, por ai e mohoi këtë version. Vite më vonë, në “Xing me Ermalin”, Llakaj tregoi se kishte propozuar ndryshime për “Portokallinë”, por idetë e tij nuk ishin përqafuar. Në atë periudhë, regjisor i spektaklit ishte Altin Basha.
Llakaj tregoi se ishte ftuar nga Ardit Gjebrea në “Kënga Magjike” dhe kishte njoftuar Bashën për pjesëmarrjen e tij. Pas daljes në festival, sipas rrëfimit të Llakajt, të nesërmen pa se materialet e tij ishin hequr nga “Portokalli”. “Aty kuptova që unë isha i dënuar”, tregoi ai.
Më pas, sipas tij, iu komunikua se do të qëndronte vetëm si drejtor artistik dhe nuk do të dilte më në skenë. “Jeta ime është e lidhur me skenën”, ishte përgjigjja e tij, pas së cilës vendosi të largohej përfundimisht nga “Portokalli”.
