Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, janë bërë prindër për herë të dytë, pasi familja e tyre është zgjeruar me ardhjen në jetë të një djali tjetër.
Sipas informacionit të bërë publik, lindja ka ndodhur në maternitetin shtetëror “Koço Gliozheni” në Tiranë, ku Ajola Xoxa ka sjellë në jetë djalin e tyre të dytë. Lajmi ka sjellë gëzim në familje, ndërsa ende nuk janë bërë publike më shumë detaje rreth emrit të të porsalindurit.
Menjëherë pas këtij momenti të rëndësishëm familjar, Erion Veliaj, përmes avokatëve të tij, i është drejtuar zyrtarisht Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe SPAK, duke kërkuar një leje të posaçme për të dalë nga qelia dhe për të qenë pranë bashkëshortes dhe fëmijës së porsalindur në këto momente të veçanta.
Çifti Veliaj–Xoxa janë gjithashtu prindër të një djali tjetër, Kajan, i cili ka lindur në tetor të vitit 2018, duke e bërë këtë moment edhe më të rëndësishëm për familjen e tyre.
Lajmi për ardhjen në jetë të fëmijës së dytë ka tërhequr vëmendje të gjerë në publik, duke u kthyer në një nga temat më të komentuara të ditës në rrjetet sociale dhe media.
