Në Ditën Botërore të Familjes, të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë se familja shqiptare po kalon një transformim të fortë demografik dhe ekonomik: familje më të vogla, më pak fëmijë dhe gjithnjë e më shumë të moshuar që jetojnë vetëm.
Sipas Censusit 2023, në Shqipëri jetojnë 2.4 milionë banorë të organizuar në rreth 755,950 familje, me një madhësi mesatare prej 3.2 anëtarësh për familje. Krahasuar me dekadat e mëparshme, kjo tregon tkurrje të qartë të familjes tradicionale shqiptare.
Të dhënat tregojnë gjithashtu rritje të ndjeshme të familjeve të vogla dhe individëve që jetojnë vetëm. Rreth 103 mijë persona në Shqipëri jetojnë pa asnjë anëtar tjetër të familjes në banesë, ndërsa afro 64 mijë prej tyre janë të moshuar mbi 65 vjeç. Pra, mbi 62% e personave që jetojnë vetëm i përkasin moshës së tretë.
Fenomeni lidhet drejtpërdrejt me emigracionin, uljen e lindjeve dhe plakjen e popullsisë. Sot, një në pesë shqiptarë është mbi 65 vjeç, ndërsa në Censusin e vitit 2011 raporti ishte një në nëntë.
