Këngëtari i njohur kosovar Blero Muharremi ka treguar së fundmi detaje interesante nga historia e dashurisë me bashkëshorten e tij të tretë, duke zbuluar se gjithçka nisi nga një mesazh i papritur në WhatsApp.
I ftuar në emisionin Rudina, Blero rrëfeu se njohja me partneren e tij, make-up artisten Eronita, ka qenë krejt rastësore. Sipas tij, ajo i kishte shkruar në WhatsApp pa e njohur personalisht dhe mesazhi në fillim ishte menduar si një shaka.
“Eronita më ka shkruar në WhatsApp, por unë nuk e dija se kush ishte. Kishte shkruar për dikë tjetër, thjesht për shaka, që dikush tjetër të më dëgjonte zërin. Pastaj më tha ‘më fal se ishte gabim’ dhe aty filloi gjithçka”, tregoi këngëtari.
Pas asaj bisede të parë, dyshja vazhduan të komunikonin përmes telefonit. Megjithatë, për disa muaj nuk patën kontakt, derisa një ditë Blero vendosi t’i shkruante sërish vajzës misterioze që kishte njohur në WhatsApp.
Nga bisedat online, ata vendosën të takoheshin për një darkë. Sipas këngëtarit, takimi i parë ishte shumë spontan dhe mes tyre u krijua menjëherë një ndjenjë e mirë që më pas u kthye në një lidhje serioze.
Historia e tyre përfundoi me martesë, duke shënuar kapitullin e tretë në jetën sentimentale të Bleros, i cili më parë ka qenë i martuar me Teuta Krasniqi dhe më pas me Afrona Dika.
Rrëfimi i tij ka tërhequr vëmendjen e fansave, pasi historia e dashurisë që nisi nga një mesazh i gabuar në WhatsApp përfundoi në altar, duke dëshmuar se ndonjëherë rastësitë mund të ndryshojnë jetën.
