Në vitet e fundit, Pilates është shndërruar në formën e preferuar të ushtrimit për gratë kudo në botë. Ajo që dikur konsiderohej një metodë stërvitjeje relativisht e specializuar, sot është kthyer në një trend global.
Zinxhirë të mëdhenj palestrash filluan të transformojnë hapësirat e spinning në studio Pilates-i. Në aplikacionin ClassPass, Pilates u bë aktiviteti më i rezervuar në mbarë botën. Madje edhe kompanitë që prodhojnë pajisjet speciale për këtë sport mezi arrinin të përballonin kërkesën.
Pilates u përhap me një lloj autoriteti të veçantë. Fizioterapistët e rekomandojnë, balerinët betohen për efektet e tij. Ai forcon muskujt, përmirëson lëvizshmërinë, rregullon qëndrimin e trupit dhe ndihmon në rikuperimin pas dëmtimeve. Shpesh duket si një metodë e kujdesshme, gati terapeutike.
Por kultura e Pilates-it që u krijua në rrjetet sociale tregoi një tjetër anë. Në TikTok dhe Instagram u përhapën pafund video ku gra të dobëta (pothuajse gjithmonë të dobëta), të bardha (pothuajse gjithmonë të bardha) dhe kryesisht gra, kryenin lëvizje të ngadalta dhe elegante mbi makinerinë e quajtur “reformer”.
Gradualisht u krijua ideja se “trupi i Pilates-it” ishte ndryshe nga trupi i fituar përmes peshave, më i gjatë, më i hollë, jo “i fryrë”. U promovua si mënyra “femërore” për t’u bërë e fortë.
Diskutimet rreth peshës sot janë një përzierje kaotike mes dobësimit të personazheve të famshëm, kritikave ndaj medikamenteve për humbje peshe, standardeve të vjetruara gjinore dhe formave të reja të çrregullimeve ushqimore të maskuara si “stil jetese i shëndetshëm”.
Disa shmangin yndyrën, të tjerë praktikojnë agjërim me intervale e të tjerë thjesht përpiqen të hanë sa më pak.
Në këtë klimë, Pilates, me imazhin e tij të pastër, preciz dhe elegant, u bë mjeti perfekt për trupin në formë. Një stërvitje që është njëkohësisht e dobishme për shëndetin, por edhe e mbushur me pritshmëri estetike.
Dhe kështu, nga një metodë rehabilitimi dhe forcimi trupor, Pilates është shndërruar në një simbol të epokës post-pandemike: mes shëndetit real dhe presionit të pamëshirshëm për t’u dukur perfekt.
