Studimet e fundit tregojnë se brezi Gen Z po përballet me një lodhje më të thellë dhe më të vazhdueshme se çdo brez tjetër deri më sot një situatë që ekspertët e shëndetit mendor dhe sociologët e konsiderojnë si simptomë të një realiteti të rëndë modern.
Pse Gen Z ndjen lodhje kaq të madhe?
Një nga faktoret kryesorë është mungesa e gjumit cilësor që shpesh nuk lidhet vetëm me orët e fjetura, por edhe me mënyrën si përdoren pajisjet digjitale gjatë natës. Përdorimi i tepërt i telefonave dhe mediave sociale para gjumit ndërpret ciklet normale të gjumit, duke bërë që trupi të mos arrijë rikuperimin e nevojshëm.
Por arsyeja shtrihet përtej orarit të gjumit. Gen Z përjeton presione të vazhdueshme profesionale, sociale dhe ekonomike që ndikojnë direkt në energjinë e përditshme dhe mirëqenien psikologjike. Kohë të gjata të punës, pritshmëri të larta në shkollë ose karrierë, dhe ndjenja se puna nuk mbaron kurrë – madje edhe pas orarit zyrtar – e bëjnë jetën e përditshme më stresuese dhe lodhjen më të dukshme.
Faktorë të tjerë që kontribuojnë në lodhje
Përtej gjumit, ka edhe disa arsye të tjera të lidhura me mënyrën e jetesës së Gen Z:
- Presioni i teknologjisë dhe media sociale: Thuhet se një përqindje shumë e madhe e të rinjve qëndrojnë zgjuar më vonë se koha e planifikuar për t’u lidhur me mediat sociale, duke zvogëluar cilësinë e gjumit dhe duke rritur ndjenjën e lodhjes.
- Stresi i punës dhe mjedisi profesional: Studimet tregojnë se Gen Z ka nivele të larta ankthi dhe burnout për shkak të pritshmërive të larta në punë dhe stresit ekonomik.
- Ndikimi i mediave dhe krahasimi social: Përpjekja për të “përmbushur standardet” e paraqitura në rrjetet sociale mund të çojë në ngarkesë psikologjike dhe lodhje mendore.
Lodhja shfaqet edhe pa arsye të dukshme
Për shumë të rinj të Gen Z, këta faktorë janë bërë pjesë e rutinës së përditshme, aq sa lodhja ndihet edhe pa një shkak të qartë menjëherë — si një “gjendje e zakonshme” e jetës moderne.
