Ndërsa dita e parë e vitit të ri shkollor po afron, kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se qeveria po ndërmerr një sërë masash konkrete për të rritur sigurinë rrugore në zonat përreth shkollave në të gjithë vendin.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama theksoi se krahas përgatitjeve të zakonshme për furnizimin me materiale mësimore dhe logjistikë shkollore, një prioritet këtë vit janë edhe ndërhyrjet infrastrukturore që garantojnë sigurinë e nxënësve gjatë rrugës për në shkollë dhe kthimit prej saj.
“Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, paralelisht me përgatitjet e tjera të materialeve mësimore po bëhen edhe ndërhyrjet e nevojshme për rritjen e sigurisë rrugore, (vijat e bardha, semaforë, mbikalime etj.) pranë të gjitha shkollave që janë anës rrugës dhe ku fëmijët kalojnë çdo ditë për të ndjekur orët mësimore.”, shkruan Rama, ndërsa ndan me qytetarët që e ndjekin në rrjete sociale edhe disa foto që tregojnë vijat e bardha pranë shkollave të sapo lyera.
Këto masa synojnë të parandalojnë aksidentet dhe të krijojnë një mjedis më të sigurt për mijëra fëmijë që çdo ditë kalojnë rrugët për të shkuar në shkollë, veçanërisht në zonat urbane me qarkullim të dendur.