Festivali i Teatrit Shqiptar “Moisiu” do të mbahet në datat 20-27 nëntor në Tiranë.
Ky ballafaqim veprash, ku dominojnë ato të gjuhës shqipe, edhe si mënyrë për ta promovuar sa më shumë, ka nisur vitin e kaluar me iniciativën e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Teatrit Shqiptar të Shkupit.
Në fjalën e tyre, drejtuesit e teatrove tona, Adem Karaga (Teatri Shqiptar i Shkupit), Altin Basha (Teatri Kombëtar i Shqipërisë) dhe Kushtrim Sheremeta (Teatri Kombëtar i Kosovës) theksuan rëndësinë e këtij festivali për zgjerimin e bashkëpunimit të vendeve tona në fushën e teatrit, ekipeve të brezave, atyre më të rinj dhe më me përvojë, shijeve estetike, takimeve dhe debateve me fokus përmirësimin.
Shfaqjet e festivalit do të kenë hyrje të lirë për spektatorët, për t’u dhënë mundësinë secilit të ndjekin nga afër punën e regjisorëve, aktorëve, skenografëve, kostumografëve, kompozitorëve.
Gjatë takimit të parë në vigjilje të këtij festivali u shpallën edhe anëtarët e jurisë. Vendi pritës, Shqipëria ka një anëtare jurie, aktoren Yllka Mujo, ndërsa miqtë, nga dy anëtarë. Teatri Shqiptar i Shkupit ka angazhuar aktorin Dritëro Ame dhe gazetaren e publicisten Diana Toska, ndërsa Teatri Kombëtar i Kosovës, aktorët Armond Morina dhe Shengyl Ismaili. Edicioni i dytë i “Moisiu-t” do të mbyllet me bashkë prodhimin e tri teatrove, “Shtëpia e Zotit” me autor Ledian Gjeçi dhe regji nga Ilir Bokshi. Kjo shfaqje është jashtë garës.
Festivali është mbajtur në Shkup vitin e kaluar, këtë vit në Tiranë dhe vitin e ardhshëm, në Prishtinë.
Çmimet që do të ndahen në festival janë si më poshtë:
Shfaqja më e mirë
Regjia më e mirë
Aktori më i mirë
Aktorja më e mirë
Aktori i dytë më i mirë
Aktorja e dytë më e mirë
Aktori i ri ose aktorja e re më e mirë
Skenografia më e mirë
Kostumografia më e mirë
Kompozitori ose kompozitorja më e mirë
Çmimi i dramës shqipe
Çmimi i karrierës
Burimi i artikullit: